Në 5 pyetje “Islami në Zimbabve”
Zimbabve është një shtet i Afrikës Jugore, shtet ky i cili bashkë me shtetin fqinj, Zambia, janë nikoqirë të Ujëvarës Viktoria e cila është shtuar në listën e Trashëgimive Botërore nga UNESCO. Nëpërmjet pesë pyetjeve le të mësojmë situatën e Islamit dhe të popullit musliman në këtë shtet të bukur që gjendet shumë kilometra larg nesh.
Sa është popullsia Muslimane që jeton në Zimbabve?
Në këtë shtet me popullsi rreth 15 milion banorësh të pozicionuar në jug të Afrikës, numri i Muslimanëve është rreth 120.000 banorë. Ndërsa shumica e kësaj popullsie që përfshin më pak se 1% të popullsisë përbëhet nga emigrantë nga India dhe Pakistani, një pjesë shumë e vogël përbëhet nga vendas dhe myslimanë nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme.
Si arriti Islami në Zimbabve?
Njohja e Zimbabvesë me Islamin filloi në vitet 1500, falë udhëtimeve tregtare që tregtarët arabë myslimanë realizonin në këtë kontinent. Martesat e arabëve myslimanë me njerëz që i përkisnin fisit Shona, i cili në atë kohë përfshihej në territorin e Perandorisë Mutapa dhe njëkohësisht ishte grupi etnik më i madh në vend, me kalimin e kohës e rritën numrin e popullsisë muslimane në vend. Gjatë periudhës koloniale, në shtet u sollën shumë punëtorë muslimanë nga India.
Cilat janë xhamitë më të njohura në Zimbabve?
Nga gjithësej 40 xhami, 18 prej tyre ndodhen në kryeqytetin Harare. Veç tyre funksionon edhe Qendra Rinore Islame. Xhamia KweKwe e vendosur në rajonin Midlans tërheq vëmendje me arkitekturën e saj unike dhe kuben e gjelbërt. Xhamia Al Abbas, në kuadër të së cilës funksionon dhe një Qendër Kulturore Islame dhe xhamia më e madhe në vend, Xhamia Ridgeview me kapacitet për 2000 adhurues bashkojnë tërë muslimanët në kryqytetin Harare.
Çfarë lloj studimesh islame bëhen në Zimbabve dhe cilët janë personalitetet e rëndësishme?
Zimbabve është një shtet ku numri i institucioneve, fondacioneve dhe shoqatave që ofrojnë arsim islam po rritet çdo vit. Fondacioni Fetar Turk (TDV) ka edhe aktivitete të ndryshme që i kryen në koordinim me fondacione të tjera. Falë këtyre institucioneve që përpiqen të informojnë banorët vendas për Islamin, si dhe të mbështesin dhe zhvillojnë komunitetin musliman, Kur’ani është përkthyer në shumë gjuhë vendase.
Pionieri më i njohur musliman i Zimbabvesë është İsmail Musa Menk, i cili përdor në mënyrë aktive rrjetet sociale dhe kanalin e tij në YouTube. Oratori dhe dijetari i njohur edhe si Shejh Myftiu Menk, u lind në Harare. Babai i tij, i cili nga Gujarat, Indi emigroi në Zimbabve, është gjithashtu një studiues i respektuar. Menk, i cili përfundoi Hifzin me edukimin që mori nga babai i tij në moshë të re dhe mësoi arabisht dhe urdu, ndërsa studimet universitare i kreu në Medine. Videot e Musa Menk, i cili u rendit në mesin e 500 emrave muslimanë më me ndikim në botë në vitin 2010, ndiqen me interes të lartë jo vetëm nga myslimanët, por edhe nga jomuslimanët.
E lindur në Angli nga një baba skocez dhe një nënë Zulu (një fis i Afrikës së Jugut) dhe e rritur në Zimbabve, Naima B. Robert është një tjetër emër i shquar në vend. Me përkushtimin e saj në shërbimin ndaj Islamit dhe publikimin e shumë librave që kur ishte udhëzuar në të 20-at e saj, Naima B. Robert tërheq vëmendjen jo vetëm në Zimbabve, por dhe në mbarë botën me librat e tij islamikë për fëmijë dhe romanet romantike islame për të rinjtë. Ajo frymëzon veçanërisht gratë muslimane me videot e saj dhe shkollat letrare që organizon herë pas here, njëkohësisht dhe me pjesëmarrjen në shumë seminare dhe konferenca si folëse me personalitete të tjera të njohura muslimane.
Cilat janë vështirësitë në të cilat hasin Muslimanët në Zimbabve?
Duke pasur parasysh problemet në të gjithë kontinentin dhe botën, mund të thuhet që Muslimanët e Zimbabvesë jetojnë më lirshëm Islamin. Edhe pse herë pas here paraqiten vështirësi të ndryshme si pasojë e tensioneve në shtetet tjera afrikane dhe lajmeve nga këndvështrimi perëndimor, meqë vendasit nuk kanë shumë paragjykime ndaj muslimanëve, ndryshe nga perëndimi, muslimanët mund të kryejnë adhurimet e tyre në një mjedis paqësor, larg konflikteve dhe sulmeve.
Pavarësisht qëndrimit pozitiv të popullit, diktatori Robert Mugabe, i cili sundoi Zimbabvenë për 37 vjet, paraqiti Islamin si shkaku i konflikteve në pjesën më të madhe të Afrikës, dhe deklaroi që ishte i lumtur që Islami nuk kishte ndikim në vendin e tij dhe në jug të Afrikës. Meqenëse administrata pas Mugabe vazhdoi në të njëjtën linjë, qëndrimi ndaj muslimanëve mbeti pothuajse i njëjtë. Për këtë arsye, ndërsa popullata muslimane në rajone të caktuara lufton për t’iu shpjeguar dhe promovuar Islamin njerëzve që kanë pak njohuri për të, ata jetojnë në një mënyrë relativisht të qetë dhe më pak të dukshme, me frikën e masave të ashpra që do të ndërmerren nga administrata.